Kronikë

Policia jep detajet rreth sulmit ndaj mjekut në Gjilan

Foto: Koha

Një burrë dje ka sulmuar një mjek në Gjilan, pasi ky i fundit e kishte njoftuar se fëmija i kishte vdekur, bën të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

Megjithatë, Policia bën të ditur se fëmija i të dyshuarit është lindur i gjallë, e edhe shëndeti i nënës është mirë, transmeton Koha.net.

Me 24 shtator 2019, rreth orës 13:30, policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar se në spitalin regjional reparti i Gjinekologjisë ka ndodhë një incident.

“Njësitet patrulluese me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se i dyshuari shqiptar shtetas i Kosovës derisa ishte në spitalin rajonal duke e prit lindjen e fëmijës, pasi qe bashkëshortja e tij ishte në sallën e lindjes, ishte njoftuar nga mjeku përgjegjës se fëmija i kishte vdekur. Në atë moment i dyshuari me të marrë informatën nga mjeku e godet mjekun ku i shkakton lëndime të lehta trupore, po ashtu i dyshuari në shenjë revolte godet një xham të zyrës së repartit dhe e thyen të tërin ku i shkakton vetes lëndime”, thuhet në komunikatë.

Policia shton se gjatë marrjes së deklaratave nga stafi mjekësor është njoftuar se fëmija është lindur i gjallë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nëna është po ashtu mirë. Lidhur me rastin janë intervistuar mjeku, i dyshimti dhe dëshmitarë të tjerë që kanë qenë prezent.

Rasti “Sulm ndaj personit zyrtar” procedohet në PTH-Gjilan.