Kronikë

Familja Hasani në Ferizaj do që të gjithë pjesëmarrësit në vdekjen e anëtarit të saj të kenë aktakuzë për vrasje

Në Ferizaj para një 1 viti ishte vrarë Besart Hasani, i cili pas vetes ka lënë gruan dhe dy fëmijë.

Natën e 28 shkurtit, Besarti kishte shkuar në një lokal së bashku me shokun e tij Driton Krasniqin, për të biseduar rreth një borxhi prej 60 mijë eurosh që ky i fundit i kishte familjes Ramadani nga Ferizaj.

I ndjeri kishte rolin e ndërmjetësuesit dhe kur pjesëtarë të kësaj familjeje kishin rrahur Driton Krasniqin, Besart Hasani kishte dalë jashtë lokalit dhe kishte provuar të ikte, ku fillimisht e kishte plagosur Albert Ramadani, raporton KTV.

“E kanë plagosur në këmbë fillimisht. Me këmbë të plagosur ka ecur, e ka kaluar krejt rrugën. Kanë shkuar këta dhe e kanë vra. Ia kanë dhënë edhe një plumb. Babai ishte vet i katërti. Për së shtriri, djalit tim duke i dalë shpirti këta duke e rrah shkelma”, ka thënë nëna e Besartit.

Megjithatë, i akuzuar për vrasje është vetëm Albert Ramadani dhe familja Hasani kërkon që për këtë vepër, të akuzohen edhe dy vëllezërit dhe babai i tij, meqë edhe ata ishin bashkëpjesëmarrës në këtë vrasje, por Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka akuzuar ata për veprën penale: pjesëmarrje në rrahje.

Avokati i kësaj familjeje ka thënë se ka kërkuar edhe përjashtimin e prokurorit të rastit, Rasim Maloku.

Në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj thuhet se ky institucion ka shqyrtuar kërkesën e përfaqësuesit ligjor të palës së dëmtuar për përjashtimin e prokurorit të çështjes dhe se me datën 03 shtator 2019 ka refuzuar kërkesën, sepse nuk ka asnjë bazë ligjore për përjashtimin e prokurorit të çështjes.

Ky institucion nuk është përgjigjur në pyetjet rreth klasifikimit të veprave penale për të gjithë të akuzuarit në këtë rast.