Një muaj paraburgim për gjykatësin Sali Berisha

Leonita Bajrami 20 September 2019 17:13
20:06

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, njofton se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.B. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit S.B i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.B në cilësinë e personit zyrtar,gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, kishte shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke kaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin për media të Gjykatës.

“Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit nga neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK-së”, thuhet më tej në njoftim.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

19:08

Gjyqtari Berisha pezullohet nga puna, për këtë rast priten arrestime të reja

Arrestimi për korrupsion i ka kushtuar me pezullim nga puna gjykatësit nga Peja, Sali Berisha.

Një vendim i tillë është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme që ka mbajtur Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ata kanë miratuar kërkesën e kryetarit të gjykatës së Pejës për pezullim nga puna të gjykatësit Sali Berisha, që dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV.

Ndërkaq, sipas informacioneve që ka dhënë Policia e Kosovës, ai është arrestuar, pas disa përgjimeve për marrje të ryshfetit, derisa dyshohet se para aksionit të Policisë, tashmë kishte marrë 4000 nga 6000 euro sa i kishte kërkuar ryshfet për një rast gjyqësor.

“Gjatë operacionit policor, të zhvilluar më datën 19 shtator 2019, i inkriminuari ka kërkuar/pranuar shumën prej 2 mijë eurove, për të përmbyllur ofertën e precizuar në proces, për të finalizuar shumën prej 6 mijë eurove, në lidhje me lëndën penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë”, thuhet në përgjigjen nga Policia e Kosovës.

Më tutje, Policia ka njoftuar se ka bastisur edhe shtëpinë e gjykatësit ku ka gjetur armë zjarri dhe një shumë të hollash prej 10 mijë euro.

Arrestimin e ka konfirmuar Prokuroria Speciale, duke thënë se ai po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Gjyqtari i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, Sali Berisha, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale.

E gjykata themelore në Pejë nuk është deklaruar para kamerës ëer arrestimin e gjyqtarit që ka punuar në këtë institucion. Mirëpo në një përgjigje me shkrim ata kanë konfirmuar një gjë të tillë. E sa u përket masave që mund të merren ndaj gjyqtarit në fjale kanë thënë se është kompentencë e KGJK-së.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe me avokatin Gëzim Kollçaku, që e përfaqëson gjykatësin. Ai, përmes telefonit, ka thënë se Berisha është intervistuar tashmë nga prokurorët.

Ndërkaq, jozyrtarisht, Kohavisioni mëson se pala që i ka ofruar ryshfet gjykatësit nuk është arrestuar ende.

Mirëpo, sipas burimeve brenda Prokurorisë, së shpejti priten të bëhen edhe arrestime të tjera lidhur me këtë rast dhe si rezultat i hetimeve dhe përgjimit që i është bërë Sali Berishës.

Ai ka punuar në sistemin e drejtësisë para e pasluftës, derisa gjykatës në departamentin e krimeve të rënda në Gjykatën e Pejës ishte emëruar që nga 2013-a.

Seanca për Berishën, që është mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ka përfunduar rreth orës 18:00, por ende nuk është bërë publik ndonjë vendim. KTV-ja po përcjell nga afër zhvillimet në Pallatin e Drejtësisë dhe Koha.net do t’ju mbajë të informuar për këtë çështje.

18:03

Mbrojtja e Berishës thotë se Prokuroria nuk ka prova që klienti i tij ka marrë ryshfet

Gëzim Kollçaku, avokat i gjyqtarit të arrestuar, Sali Berisha, tha se Prokuroria nuk ka ofruar prova që mund të dëshmojnë se klienti i tij ka marrë ryshfet.

Ai këtë rast e ka quajtur montim për arsye hakmarrjeje, raporton KTV.

Ai nuk i ka përmendur dyshimet për marrje ryshfeti, duke thënë se Berisha dyshohet vetëm për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe posedim të armës pa leje.

Seanca ka përfunduar dhe palët janë në pritje të vendimit.

17:13

Po mbahet seancë dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjyqtarit Sali Berisha

Po mbahet seancë dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili është zënë në flagrancë duke marrë ryshfet nga një palë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion e Policisë, gjatë ditës ka sqaruar aksionin e arrestimit të gjykatësit Sali Berisha.

Bazuar në përgjimin që i ishte bërë gjykatësit të Pejës, dyshohet se paraprakisht ai i ka marrë 4 mijë euro nga një palë, për të vendosur në favor të tyre në Gjykatë. Pastaj, pjesën tjetër të shumës së akorduar e ka pranuar derisa është zënë në flagrancë duke marrë ryshfet dhe tani dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Policia gjatë kontrollit në banesën e gjyqtarit ka gjetur edhe një armë zjarri, një karikator me 10 fishekë dhe 10 mijë euro, dhe se ato janë sekuestruar bashkë me shkresa, aktgjykime dhe procese të verbaleve gjyqësore. Gjykatësi është ndaluar në arrest për 48 orë. E pas kësaj Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Sali Berisha.

“Në një mbledhje të jashtëzakonshme ky këshill ka aprovuar kërkesën e Gjykatës Themelore në Pejë për pezullim të gjyqtarit Berisha. KGjK, shpreh shqetësimin lidhur më këtë rast dhe njëkohësisht gatishmëri për përkrahjen e organeve gjegjëse të sistemit të drejtësisë në procedurat e mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme