Kronikë

Prokuroria e quan “të dyshimtë” e Inspektorati do masa për vdekjen te 44 katëshja

Kishte përfunduar orarin e punës, kur 55-vjeçari B.B nga Mitrovica ka rënë në një gropë 5 kate nën dhe në të cilën mbeti i vdekur të enjten mbrëma.

Vdekjen e tij në vendngjarje e kanë konstatuar ekipet e urgjencës, raporton KTV.

Punëtorët të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se e kanë gjetur të vdekur kolegun e tyre në një pjesë në të cilën nuk kishte punime në objektin e njohur si 44 katëshja në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë.

Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka thënë se vdekja e punëtorit po cilësohet si e dyshimtë dhe se po vazhdojnë hetimet, derisa trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, rastin në fjalë e ka cilësuar si "Vdekje e dyshimtë". Me urdhër të prokurorit kujdestar të këtij departamenti, është lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjekësor të trupit të pajetë. Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit në fjalë”, ka thënë Ukaj.

KTV-ja ka provuar që të flasë edhe me pronarët e kompanisë “Alba Group”, e cila është duke e ndërtuar objektin, por ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës.

E ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci, ka thënë se pas përfundimit të hetimeve, do të dalin me një konkluzion.

Leci thotë se janë shqetësuese vdekjet në vendet e punës.

Në periudhën Janar- Shtator të këtij viti, 9 punëtorë kanë vdekur në vend të punës, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i punëtorëve që vdiqën në vend të punës ishte 15.