Kronikë

Arrestohet 20-vjeçari që në muajin e kaluar bashkë me dy të dyshuar kryen “tentim vrasje”

Foto: Koha / ilustrim

Policia ka arrestuar një person, nga 3 të përfshirë, të cilët në muajin gusht kishin tentuar ta vrisnin një person.

Sot nga njësiti i hetimeve të përgjithshme që operojnë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, është ndërmarrë një operacion policor, lidhur me arrestimin e personave të dyshuar për rastin “Vrasje në tentativë”, që ka ndodhur me datën 22 gusht 2019, në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në Prishtinë.

LEXO EDHE: Një person theret në Prishtinë, policia në kërkim të të dyshuarve

“Operacioni policor është realizuar në Prishtinë, ku policia ka arritur të identifikoj tre personat e dyshuar të përfshirë në rast dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake ka kryer kontrolle në dy lokacione”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Në njërën prej lokacioneve policia ka arritur të gjejë dhe të arrestojë personin e dyshuar A.T, mashkull, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit, është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërkohë që hetuesit policor janë në kërkim të dy personave të tjerë, që dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast”, përfundon njoftimi.