Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj inspektorit komunal në Prizren

Ngrihet aktakuzë ndaj inspektorit komunal në Prizren
 

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.G., në cilësi të personit zyrtar - Inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari A.G., me datë 03.10.2017, në fshatin Reçan të Komunës së Prizrenit, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar - inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj, dhe njëkohësisht i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për ujërat e Kosovës dhe nenin 12 paragrafi 1.3 të Udhëzimit administrativ për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të ujë-rrjedhave dhe akumulacioneve.