Kronikë

Paraburgim për katër persona për rrahje në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurve me iniciale M.K., A.K., F.K. dhe E.K. që të gjithë nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Sipas njoftimit, masa e paraburgimit do t’iu llogaritet prej datës së arrestimit, 15.08.2019 dhe do të zgjasë deri më datën 15.09.2019.

“Me datë, me datë 15.08.2019, rreth orës 15:30 minuta në Prizren, rruga magjistrale Prizren-Vërmicë, në oborrin e lokalit të sanitarisë “Aqua Pan”, i pandehuri me iniciale M.K. së bashku me babanë e tyre me iniciale M.K. dhe me të pandehurit e tjerë shkon në oborrin e lokalit afarist të të dëmtuarit dhe pas një fjalosje rreth një kontesti pronësor, i pandehuri me iniciale M.K. e nxjerr nga kombibusi një çekan dhe e sulmon fizikisht të dëmtuarin me inciale L.F. duke i shkaktuar plagë prerëse në kokë. Më pas të pandehurit tjerë me iniciale A.K., F. K. dhe E.K. nxjerrin nga kombibusi mjete të forta përfshirë një levë dhe godasin të dëmtuarin deri sa e paaftësojnë për rezistencë, më pastaj i pandehuri me iniciale M.K. me çekan e godet në kokë edhe të dëmtuarin me iniciale A.F. duke i shkaktuar plagë prerëse e më pas edhe të pandehurit me iniciale A.K., F.K. dhe E.K. me mjete të forta metalike përfshirë një levë e godasin të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftim.

Sipas kumtesës për media, Gjykata njofton se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.