Kronikë

Aktakuzë ndaj katër personave për gjashtë vepra penale

Aktakuzë ndaj katër personave për gjashtë vepra penale

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër B.S., P.T., L.Sh., dhe F.Xh., të cilët gjenden në paraburgim nga data 12.12.2018, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “Posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substrancave psikotrope ose analoge”, “Zjarrvënia”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” si dhe për veprën penale “Detyrimi”.

“Sipas aktakuzës, të akuzuarit B.S., dhe P.T., nga periudha kohore shkurt 2017 deri në gusht të vitit 2018 në Prizren, si bashkëkryerës, pa autorizim shpërndajnë dhe shesin substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë në atë mënyrë që nëpërmjet telefonave celular, gjë vërtetohet nga bisedat e transkriptuara nga përgjimet, ofrojnë dhe shesin narkotikë të llojit “kokainë” në sheshin Shadervan prapa xhamisë së Sinan Pashës si dhe para oborrit të shkollës së muzikës, personave S.K., V.C., A.G., dhe të tjerëve, të cilët paraprakisht me telefon kanë caktuar vendin e takimit, çmimin si dhe sasinë e narkotikut duke përdorur gjuhën e koduar. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Po ashtu, sipas aktakuzës, të akuzuarit B.S., P.T., L.Sh., dhe F. Xh., nga periudha kohore shkurt 2017 deri në dhjetor të vitit 2018 në Prizren, në bashkëkryerje në shkelje të ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët, merren me shitblerjen e paautorizuar e armëve gjë vërtetohet nga bisedat e transkriptuara nga përgjimet, e që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të armëve. Me këto veprime në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, thuhet në njoftim.