Një person i vdekur dhe një tjetër i plagosur, është epilogu i një grabitjeje që ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit të së mërkurës, në lagjen ‘Pajtimi’ në Shtime.
Kjo shtëpi luksoze ishte caku i 4 personave të maskuar të cilët dyshohet se hynë drejt në dhomën ku gjendej mërgimtari N. N. dhe pasi ky i fundit refuzoi të dorëzohej, njëri nga grabitësit e plagosi atë në këmbë, raporton KTV.
Pas këtyre të shtënave, përveç pronarit të shtëpisë, në ndihmë për t’i kapur grabitësit doli edhe vëllai i tij, A. N.
E pas një përleshjeje që ndodhi jashtë oborrit të shtëpisë, ku dyshohet se u përdorën edhe mjete të forta dhe thika, njëri nga grabitësit, rreth të 40-ve, mbeti i vdekur nga plagët e marra.
Derisa mërgimtari N. N. po vazhdon të trajtohet në QKUK, Policia ka ndaluar për 48 orë vëllanë e tij A. N.
Por, Policia nuk ka arritur të arrestojë asnjë prej grabitësve të cilët janë në arrati, e gjithashtu nuk e din as identitetin e personit që u vra.
Sipas Policisë, trupi i tij, pa asnjë dokument, u gjend rreth 200 metra larg shtëpisë.
3 grabitësit të cilët dyshohet se u arratisën me një veturë e cila është identifikuar nga policia, dyshohet se grabitën mbi 20 mijë franga në këtë shtëpi.