Kronikë

Edhe një ish-drejtorit të Prizrenit i ngrihet aktakuzë

Foto: Koha / ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ish-Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, Nijazi Kryeziu, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nijazi Kryeziu, në periudhën kohore janar - dhjetor të vitit 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për persona tjerë juridik ‘Tv Opinion’, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj.

Njoftohet se i njëjti pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, ka lidhur kontratë me Tv Opinion për emitimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu vlera totale e kontratës arrin shumën 7200 euro.

Sipas Prokurorisë me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Nijazi Kryeziu ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë”, thuhet tutje në njoftim.

Ditë më parë Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Hasanit, në cilësinë e ish - Drejtorit të Shërbimeve Publike pranë Komunës së Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I njëjti, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, ka lidhur kontratë për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, ku vlera totale e kontratave me ‘TV Opinion’ dhe ‘TV Besa’ arrin shumën e 7000 euro.