Kronikë

Pezullohet nga puna polici i Durrësit për shkak të komunikimit jo-etik me pushuesin nga Kosova

Descriptive Text

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë së Komisariatit të Policisë Durrës, për komunikim jo etik me një pushues nga Kosova.

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale nga një shtetas kosovar, i cili ka bërë publik komunikimin jo etik të punonjësit të Policisë, Policia e Shtetit shqiptar sqaron se në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Durrës është bërë një njoftim për vjedhjen e 3 celularëve, ndërkaq, me marrjen e njoftimit, menjëherë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me shtetasin kosovar, i cili ka thënë se në banesën e marrë me qira i kishin marrë 3 aparate celularë.

“Pasi punonjësit e Policisë kanë kryer veprimet paraprake, i kanë shpjeguar procedurën që duhej për të bërë kallëzim në lidhje me vjedhjen e celularëve që ai pretendonte, por shtetasi kosovar nuk ka pranuar dhe më vonë ka deklaruar se i ka gjetur celularët. Gjatë komunikimit në lidhje me rastin, Ndihmës/Specialisti i Policimit në Komunitet A.L. ka përdorur komunikim jo etik me shtetasin kosovar. Për këtë, punonjësi i Policisë është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor”, thotë Policia e Shtetit shqiptar, raporton “oranews”.

Policia e Shtetit thotë se është e angazhuar maksimalisht për të garantuar një ambient sa më të sigurt për të gjithë pushuesit, vizitorët e turistët.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën dhe çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital dhe në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin pa pagesë 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB, duke garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.