Kronikë

Digjet një pjesë e objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, lëndët kanë shpëtuar

Në mbrëmjen e së hënës zjarri ka kapluar një pjesë të përdheses së objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, saktësisht zyrën e Shkrimores Civile.

Në një njoftim nga kjo gjykatë bëhet e ditur se zjarri është lokalizuar dhe është shuar menjëherë.

Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale në pajisje teknike, përfshirë kompjuterë, printer si dhe tavolina dhe karrige.

Themelorja megjithatë ka thënë se lëndët nëpër dollapë s’janë dëmtuar. Të vetmet lëndë që ishin prekur nga zjarri ishin disa lëndë me Kërkesa për Shlyerje të Dënimeve dhe Regjistri i tyre, por Themelorja ka njoftuar se lëndët bazike të këtyre kërkesave nuk janë dëmtuar pasi që të njëjtat gjenden në arkivin e gjykatës.

“I sigurojmë qytetarët të cilët kanë procedura të hapura civile në Gjykatën tonë se lëndët e tyre nuk janë përfshirë nga zjarri dhe nuk janë të dëmtuara andaj, edhe proceset gjyqësore do të vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të rregullt”, thuhet në njoftim teksa shtohet se për disa orë sot kjo gjykatë nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve, pos në raste urgjente.

Shkaku i aksidentit është aksidental, ka thënë gjykata.