Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.G., për veprat penale vrasje e rëndë, vrasje në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve sipas Kodit Penal të Kosovës.
Sipas aktakuzës, më datë 17.03.2019 në Studençan të Suharekës, i akuzuari pas një mosmarrëveshje paraprake rreth çështjeve pronësore, me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes, vëllanë I.G.
“Ndërkohë, e dëmtuara N.G., pas dëgjimit të zhurmës, hap derën e shtëpisë dhe e sheh B.G., i cili ishte shtënë në drejtim të saj dhe e plagos në pjesën e sipërme të abdomenit. I akuzuari vazhdon ndjekjen duke hyrë në dhomën ku ishte fshehur i ndjeri I.G., dhe shtënë në të katër herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë nga arma zjarrit, e që vjen deri te vdekja e I.G”, thuhet në komunikatë.
I akuzuari gjendet në paraburgim nga data 17.03.2019, dhe prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.