Aktakuzë ndaj 4 personave për grabitje dhe vjedhje të rëndë në Zubin Potok Foto: Ilustrim

Aktakuzë ndaj 4 personave për grabitje dhe vjedhje të rëndë në Zubin Potok

29 May 2019 13:50

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër të pandehurve S.V, A.R, XH.V, dhe D.G në drejtim të veprave penale “Grabitje” dhe “Vjedhje e rëndë”.

Prokuroria njofton se “të pandehurit me datë 19.12.2018 rreth orës 22.50 në Zubin Potok, me përdorimin e forcës dhe me kanosje, kanë tentuar që në mënyrë të kundërligjshme të përvetësojnë pasuri të luajtshme nga i dëmtuari M.R, të njëjtit duke vepruar në grup dhe ndarë rolet e tyre, me ç`rast derisa tre të pandehurit tjerë po bënin roje jashtë dhe brenda oborrit të shtëpisë së të dëmtuarit, i pandehuri A.R me një objekt metalik – pajser - hap dritaren e dhomës hyrëse të shtëpisë së të dëmtuarit dhe hyn brenda, ndërkaq pasi i dëmtuari e vëren prezencën e të pandehurit, i njëjti e godet të dëmtuarin me objektin metalik në dorën e majtë dhe në krah duke e rrëzuar për tokë. Në këtë moment reagon gruaja e të dëmtuarit, dhe në këtë situatë i pandehuri largohet nga shtëpia”.

Me këto veprime, Prokuroria thotë se të pandehurit, duke vepruar në grup, kanë kryer veprën penale “Grabitje’.

“Po ashtu, me datën 20.12.2018 rreth orës 00.30 në Leposaviq, katër të pandehurit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm dhe duke vepruar si grup, kanë marrë sende të luajtshme që i kanë takuar të dëmtuarit G.P, me ç`rast ia thyejnë me forcë dyqanin e të dëmtuarit duke i marrë kështu apoena të imët, lloje të ndryshme të cigareve, çokollata, shkrepëse, parfume të ndryshme si dhe preparate për lyerje të trupit”, thotë më tej Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Me këto veprime, Prokuroria thotë se të pandehurit, duke vepruar në grup, kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme