Kronikë

Arrest shtëpiak ndaj pejanit që kërcënoi policët me fjalët “keni me ma pa sherrin, ka me ju vra”

Foto: Policia e Kosovës / screenshot / ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë, gjegjësisht Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit D.G.

I dyshuari, siç bën me dije Gjykata, ka sulmuar dhe kanosur seriozisht personat zyrtarë të cilët më pas edhe i ka kërcënuar me fjalët “keni me ma pa sherrin, ka me ju vra”.

“Me datë 20.05.2019, rreth orës 14:20, në Pejë, ka sulmuar dhe kanosur seriozisht personat zyrtarë në lidhje me detyrat zyrtare dhe atë dy zyrtarë policorë pranë Stacionit Policor në Pejë, në atë mënyrë që pasi të dëmtuarit kishin shkuar për asistim sipas kërkesës së Inspektorëve Komunalë, i pandehuri ka kundërshtuar shoqërimin e tij për në polici, po ashtu ka rezistuar arrestimin e tij e më pas i ka sulmuar me duar zyrtarët policorë duke i kapur për fyti dhe për uniforme ashtu që zyrtarët policorë ndaj të njëjtit janë detyruar të përdorin forcë dhe pas arrestimit ka përdorë fjalë kanosëse ndaj të dëmtuarve ‘keni me ma pa sherrin, ka me ju vra’”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këto veprime, Gjykata thotë se i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Të pandehurit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.