Kronikë

Një muaj paraburgim të dyshuarit për tentim-grabitje

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh ndaj të pandehurit T.V. për veprat penale “Grabitje në tentativë” e “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

I pandehuri dyshohet se më 26 prill në mesditë, i maskuar e me pistoletë në dorë, ishte futur në filialin “Ria Capital” ndërsa S.K. ka bërë roje duke përcjellë lëvizjet e qytetarëve. Me këtë rast i pandehur i është futur në lokal ku ka gjetur të dëmtuarit A.S., P.H. dhe R.M. të cilëve iu ishte drejtuar me fjalët “qitni lekët”, sipas njoftimit nga Gjykata. Pas alarmit të ndezur i pandehuri ishte larguar në drejtim të panjohur.

Periudha e paraburgimit do të llogaritet nga 29 prilli.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i ikjes dhe në këtë mënyrë të pengoj hetimet, duke ndikuar te dëshmitarët dhe dëshmitë eventuale që mund të paraqiten si prova në procedurë”, thuhet në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.