Kronikë

Gjykata liron tre policët e akuzuar për shtytje në vetëvrasje të një policeje në Klinë

Foto: Alban Bujari / Koha

Gjykata Themelore e Pejës sot ka shpallur aktgjykimin ndaj tre policëve, të cilët kanë qenë të akuzuar për “shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje” të një policeje në Klinë, e cila ishte kolege e tyre.

Të tre policët, Besim Bojaj, Ardian Toplana dhe Fatmir Gashi janë liruar nga akuzat, në mungesë provash.

Lajmin për “Kohën Ditore” e ka konfirmuar avokati, Emrush Kastrati, i cili mbron të akuzuarin Gashi.

“Gjykata ka konstatuar sot se prokuroria nuk ka pasur asnjë provë mbi të cilën e ka mbështetur dyshimin e bazuar se të akuzuarin i kanë kryer veprat penale, për të cilat ishin ngarkuar”, ka thënë avokati.

Policët akuzoheshin se në vitin 2014 kanë shtyrë në vetëvrasje tashmë të ndjerën Pashke Bekaj, me të cilën dyshohet se kishin pasur marrëdhënie intime.

Në kohën kur është zhvilluar gjykimi, vëllai i viktimës, Zef Bekaj, pati deklaruar për KTV-në se nuk do të marrë pjesë në seanca për shkak se nuk ka besim në Gjykatën e Pejës.

Bekaj ka thënë se motra e tij nuk është vetëvrarë, por ai e ka akuzuar policin Fatmir Gashi që e ka vrarë atë.

Bekaj ka bërë të ditur se 4 ditë para se, siç thotë ai, të vritej, motra e tij është intervistuar nga Policia Rajonale e Pejës, me ç’rast i kishte rrëfyer të gjitha në lidhje me tre të akuzuarit dhe shantazhet që ia kanë bërë.

Trupi i pajetë i polices Pashke Bekaj, rreth të 40-ve, është gjetur në dhomën e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës dhe dyshohet se aktin e vetëvrasjes e ka kryer me armën e saj zyrtare.