1 perditesime
17:23

Mbyllen 35 lokale të lojërave të fatit

Policia e Kosovës, përmes një konference të jashtëzakonshme për medie, ka njoftuar se gjatë ditë së sotme, në bashkëpunim me ATK-në, Doganën dhe institucione të tjera, kanë kontrolluar 235 lokacione në të gjitha komunat e vendit, me ç’rast kanë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit.

Agron Nezaj nga Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, ka thënë se vetëm gjatë ditës së sotme nga ATK-ja janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit ndërkaq janë konfiskuar 118 aparate.

“Policia e Kosovës muaj më parë ka bërë inicimin e hetimeve rreth lojërave të fatit. Ky inicim është bërë nën udhëheqjen e prokurorisë. Si rezultat i këtyre hetimeve, PK sot ka realizuar një operacion në të gjitha regjionet e Kosovës”, ka thënë Nezaj, njofton Koha.net.

“Ky operacion policor ka përfshirë inkuadrimin e mbi 1000 zyrtarëve nga institucione të ndryshme. Në total janë kontrolluar 235 lokacione në 33 qytete të Kosovës. ATK-ja ka mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit ndërkaq janë konfiskuar nga Dogana 118 aparate të lojërave të fatit”, tha ai.

Ai ka theksuar se aksioni është shtrirë edhe në pjesën veriore të vendit, ku janë kontrolluar 21 lokale të lojërave të fatit.

16:20

Policia godet lojërat e fatit, mbyllen disa sosh edhe në veri

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar disa aksione ndaj lojërave të fatit në Kosovë.

Një aksion i tillë është realizuar edhe në veri të Mitrovicës ku janë mbyllur disa nga këto lokale, raporton Kosovapress.

Për këtë Policia sot do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme, e dyta për të premten.

Po sot Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Rezolutë në të cilën pezullohen lojërat e fatit.