2 perditesime
23:14

Një i dyshuar për vrasjen në Lipjan, “vdekja ishte e dhunshme”

Prokurori kujdestar i Prokurorisë së Prishtinës, Armend Hamiti, ka konfirmuar se për vrasjen në Lipjan është të paktën një person i dyshuar.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një vdekje të dhunshme.

“Sapo u mor informata nga policia, si prokuror kujdestar, konfirmuam që një person që ka punuar këtu ka vdekur. Bëhet fjalë për një vdekje të dhunshme. Kemi shpërnda me policinë njësitë hetimore që të identifikohet personi, emri i të cilit s’dihet, por si fizikus është parë në kamerë. Për momentin kjo mund të ndahet me opinionin. Nëse na nevojitet ndihma e qytetarëve do të njoftojmë. Për momentin kualifikim i parë është grabitje me pasojë vdekje. Është një person që shihet pak a shumë në kamerë, por që s’është identifikuar”, ka thënë ai, raporton KTV.

Për mediat ka fol edhe komandanti i Policisë në Lipjan që ka dhënë detaje tjera për rastin.

“Rreth orës 20:10 minuta, kemi pranuar një informatë që punëtori që ishte duke punuar në këtë lokal, nuk është lajmëruar në telefon. Për tre minuta i jemi përgjigjur thirrjes dhe kemi pa se dera e lokalit ishte e mbyllur. Me forcë është hap dera dhe brenda është gjetur prapa sharkut një person të shtrirë në tokë, pa shenja jete dhe i konfirmuar mandej nga mjeku kujdestar në qendrën spitalore në Lipjan. Janë thirr njësitë relevante. Mund të them që personi që ka humb jetën është i gjinisë mashkullore, rreth 30 vjeçar”, ka thënë Driton Imeri.

21:56

Policia jep detajet e para të vrasjes së 36 vjeçarit në një kazino në Lipjan

Policia e Kosovës ka dhënë informatat e para për vrasjen e një të riu në një kazino në Lipjan.

Agron Boroci, zëdhënës në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, i ka thënë portalit Koha.net se “rreth orës 20:00 kanë marrë informatën se në një lokal në rrugën ‘Bajram Gashi’ në Lipjan gjendet një person pa shenja jete”.

“Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga këqyrja fillestare e vendngjarjes është konstatuar se një mashkull rreth 36 vjeç, që është konfirmuar si punëtor i lokalit në fjalë është pa shenja jete, dhe ka një plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit”, ka thënë Boroci.

Ai ka thënë se aktualisht po vazhdon ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe rasti po hetohet nga ana e Policisë si vdekje e dyshimtë përderisa janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat ne te cilat ka ndodhur ngjarje.

21:39

Vritet një person në një kazino në Lipjan

Një vrasje ka ndodhur në një kazino në Lipjan të mërkurën në mbrëmje.

Burime të Koha.net kanë bërë të ditur se fjala është për një punëtor që është qëlluar gjatë një grabitjeje.

Koha.net është në pritje të përgjigjes nga Policia e Kosovës.

Në vend të ngjarjes është edhe ekipi i mjekësisë ligjore.

Brenda pak ditësh, ky është rasti i dytë i vrasjeve nëpër kazino. Një zyrtar policor dyshohet se vrau një punonjës në kazino në Suharekë.