Detaje të vrasjes në Gjakovë, i dyshuari e vrau pronarin e ri të tokës së vëllait të tij

Alberta Hashani Alberta Hashani 13 March 2019 19:23

Kontesti pronësor ishte shkaktar që çoi në përfundimin tragjik të jetës së 46-vjeçarit T.B. dhe plagosjes së 56-vjeçarit A.N., nga dorasi 31-vjeçar A.Xh., nga po i njëjti fshat, Marmull.

I plagosuri është jashtë rrezikut për jetë dhe ka treguar se ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së tij, por pa dhënë shumë detaje, raporton KTV.

I plagosuri A.N., i cili është duke marrë trajtimin mjekësor në Klinikën Emergjente, ka rrëfyer prapa kamerave se tragjedia kishte ardhur pas konfliktit i cili kishte të bënte me tokën që ai ia kishte shitur vëllait të dorasit, kohë më parë.

Nga bashkëfshatarët është treguar se vëllai i dorasit, që është me vendbanim në Zvicër, po të njëjtën tokë së fundi ia kishte shitur tashmë të ndjerit T.B.

Me këtë nuk ishte pajtuar vëllai i tij, i cili kishte kërkuar që ta marrë vetë tokën e familjes.

Për këtë, i dyshuari kishte shkuar te pronari i mëhershëm tashmë i plagosur, i cili është ende pronar me dokumente.

Pas konfliktit, ai me armë te gjatë kishte shtënë ne drejtim të tyre, duke lënë te vdekur pronarin e ri dhe plagosur pronarin e vjetër.

Shefi i Sektorit të Hetimeve nga Policia për Rajonin e Gjakovës, Bekim Avdijaj, ka treguar se i dyshuari është arrestuar pas dy orësh në shtëpinë e tij.

Ndërsa, arma me të cilën kishte shtënë ishte pa leje.

Pas aktit, personat ishin dërguar në Emergjencë të Gjakovës nga fqinjët e tyre.

Derisa shtëpia e të dyshuarit është duke u mbikëqyrur nga policia, në shtëpinë e të vdekurit familja ka hapur dyert për t’i pritur familjarët për ngushëllime.

E, varrimi i tij pritet të bëhet të enjten.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme