Kronikë

Në Athinë kapen 21 kg heroinë, në pranga katër shqiptarë dhe një greke

Foto: Ilustrim

Departamenti i anti-drogës së Athinës ka shkatërruar një organizatë të trafikut të heroinës dhe arrestoi katër shtetas shqiptarë, 32,40, 42 dhe 48 vjeçarë, si edhe një shtetase greke 43 vjeçare, nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Burime policore thanë se dy prej anëtarëve të organizatës u arrestuan në pikën kufitare të Kakavijës, në kohën që po tentonin largoheshin drejt Shqipërisë pasi më parë ishin informuar për arrestimin e pjesë tjetër të organizatës në lagjen Egaleo të Athinës, raporton tch.

Policia thotë se rolet dhe detyrat e anëtarëve të organizatës ishin të përcaktuara që nga furnizimi, në transportimin dhe shpërndarjen e sasive të drogës, e cila vinte nëpërmjet Shqipërisë, dhe deri në shpërndarjen e saj në shitësit e vegjël në piacën e narkotikëve të kryeqytetit helen.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia prej 21 kg heroinë e pastër, dhe sasi të vogla kanabisi dhe kokaine.

Të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë për mase sigurie, paraditen e së shtunës.