Kronikë

Policia në Klinë arreston tre persona për posedim të paautorizuar të armëve

Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës në Klinë njofton se më datë 15 janar 2019, rreth orës 23:40 në Klinë, përderisa patrulla e Policisë së Kosovës ishte duke zhvilluar një plan operativ, ka pranuar një informacion se një person në një lokal posedon armë.

Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme nga policia në atë lokacion dhe të personi i dyshuar gjatë kontrollimit është gjetur arma-pistoletë e tipit “Zastava 7.65mm”, prodhim jugosllav, 1- karikator dhe 6- copë fishek të njëjtit kalibër.

Personi i dyshuar E.I. (1994), është arrestuar, dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, bazuar në urdhëresën me shkrim, të lëshuar nga Gjykata Themelore Pejë – dega Klinë, njësiti i hetimeve në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë si dhe në përkrahje edhe nga njësitë relevante, me 16.01.2019, ka kryer bastisjen e shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të dy vëllezërve A.I. dhe A.I. në fshatin Shtupel-Klinë.

Gjatë bastisjes, në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike AK-47, prodhim jugosllav, dhe 4 karikatorë të AK-47, një pushkë automatike 20-she, prodhim i Shqipërisë me 1 karikator, një pushkë automatike 'sharc', prodhim kinez, 1 karikator me 22 fishek kal. 7.62x25mm, një pistoletë “Zastava M-57”, prodhim jugosllav, 1 karikator me 6 fishek kal. 7.62x25mm dhe tre fishekë të kal. 16 GA.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe i njëjti ndaj të dyshuarit ka udhëzuar që të hapet rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedure të rregullt.