Kronikë

Aksidentohet vetura zyrtare e MPB-së, tre të lënduar

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Tre persona janë lënduar në mëngjesin e së martës, si pasojë e një aksidenti që ka pësuar një veturë zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra për Informim në QKUK. Kjo zyrë ka thënë se tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e një aksidenti në komunikacion. “Sipas mjekëve emergjentë, ata kanë pësuar lëndime të lehta. Njëri nga ta, pas tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi, ndërsa të tjerët janë ende duke u trajtuar në Qendrën Emergjente”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre për Koha.net.

Koha.net ka kontaktuar edhe me ministrin Ekrem Mustafa, që u raportua se është aksidentuar, por ai ka thënë se nuk ishte në veturë. Ka sqaruar se të aksidentuar janë këshilltarët e tij.

"Unë nuk jam aksidentuar. Nuk është e vërtetë. Veturën ku kanë qenë këshilltaret e mi e ka goditur mbrapa një veturë tjetër", ka thënë ai

Lidhur me rastin ka reaguar edhe MPB. Ministria ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:00 në lagjen Arbëria. Një nga dy veturat e përfshira është e kësaj ministrie. Në veturë ishin katër zyrtarë të kabinetit të Mustafës, por jo vetë ministri, sipas njoftimit.