Detaje nga aksioni i mbrëmshëm policor për arrestimin e plaçkitësve të marketeve Foto: Ilustrim

Detaje nga aksioni i mbrëmshëm policor për arrestimin e plaçkitësve të marketeve

04 January 2019 10:03

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e koduar ‘Unaza e Çeliktë’, në shkatërrimin e grupeve të dyshuara për vjedhje grabitqare.

Policia ka njoftuar se me mbrëmë rreth orës 17:20 në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë, pasi kishin pranuar informata për grabitje në marketin “Meridian” kanë arritur të arrestojnë njërin prej të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

“Me datë 03.01.2019 në 17:20 në rr. ‘Mustafa Venhari’ në ‘Dardani’ në marketin ‘Meridian’ ka ndodhe një grabitje. Derisa viktima Qëndrim Sinani dt. lindjes 07.12.1994 së bashku me dy punëtore tjera të marektit ka qenë brenda në market duke punuar, kanë hyrë katër persona të maskuar, njeri me pistoletë në dorë, dy prej tyre me arme të ftohte-thika. Nën kërcënimin e tyre të dyshuarit kanë arritur që të marrin arkën e vogël të marketit duke u larguar më pas këmbë në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë, shkruan Kallxo.com.

“Pas pranimit të informatës është aktivizuar ‘Unaza e Çeliktë’ ku zyrtarët policorë në terren të uniformuar dhe në rroba civile të cilët kanë arritur që të lokalizojnë katër të dyshuarit afër shkollës ‘Dardania’ të cilët kanë qenë këmbë duke tentuar që të hapin arkën të cilën e kanë grabitur në market. Zyrtarët policorë kanë arritur që të arrestojnë njërin nga të dyshuarit Agron Braha dt. lindjes 26.06.1999 nga Durrësi shtetas shqiptar me banim në Fushë Kosovë. Tre të tjerët kanë arritur që të largohen (arratisen)”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Policia bën të ditur se pas një pune operativo-hetimore janë identifikuar edhe tre të dyshuar tjerë.

“Në vendin ku është arrestuar i dyshuari në lagjen ‘Dardania’ është arritur që të gjendet çanta e krahut në të cilën kanë qenë maskat, dorezat, një pistoletë, dy armë të ftohta – thika si dhe arka e cila ka qenë e grabitur në market”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Detajet tjera të publikuara nga ana e Policisë lidhur me aksionin e mbrëmshëm “Unaza e Çeliktë’, tregojnë se janë kryer katër kontrolle me urdhër verbal të Prokurorit kujdestar dhe Gjyqtarit kujdestar.

“Një lokacion është kontrolluar në Fushë Kosovë në banesën ku ka qenë me qira Agron Braha. Në lokacionet e bastisura janë konfiskuar: dy jakne, dy duksa, dy kapela, një palë doreza, një komplet trenerka ngjyrë ushtarake, një shall, një palë puma, dy telefona celularë, dhe një fotrollë e pistoletës të cilat shërbejnë si dëshmi në raste”, bëhet e ditur nga Policia.

Më tej në njoftimi sqarohet se i dyshuari i arrestuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

“Me aktvendim mbi ndalimin, i dyshuari dërgohet në qendër të mbajtjes kurse për të dyshuarit tjerë është lëshuar kërkesë për ndalim policor. Në ndërkohë gjatë këtij raportimi konfirmojmë se është arrestuar edhe personi i dytë L. Drenovci”, thuhet në njoftim.

Ky grup dyshohet për gjithsej gjashtëmbëdhjetë raste të grabitjeve në markete “Maxi”, “Meridian”, “Albi Market”, një barnatore dhe një agjenci financiare.

Po ashtu më 03.01.2019 rreth orës 19:40 në Prishtinë në rrugën “Mujë Krasniqi”, Policia ka njoftuar se nga ankuesi R. Rexhepi ka raportuar për një rast vjedhje grabitqare, ku sipas ankuesit 4 persona të dyshuar me forcë ia kishin marr 90 € para të gatshme dhe të njëjtin e kishin sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit kujdestar. Rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetime. Policia në afërsi të vendit të ngjarjes ka ndaluar dy persona tek të cilët është gjetur një armë pistoletë si dhe që të dy kanë pas kapela maskuese ku të njëjtit janë të dyshuar potencialë për kryerjen e kësaj vepre”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në kuadër të aksionit të koduar “Unaza e Çeliktë”, janë arrestuar edhe dy persona tjerë pasi dyshohen për shitjen e dy armëve.

“Vlen të ceket se më 03.01.2019 rreth orës 19:40 në Prishtinë në rrugën ‘Xhevdet Doda’, njësitet policore pasi që kishin vërejtur se të dyshuarit janë duke shkëmbyer diç, i kanë ndaluar dhe te i dyshuari Albion Karafeta i lindur më 17.08.1998 M/SH/K, kanë gjetur dy revole: 1. Zoraki Cal. 9mm P.A.K me nr. serik 180900649 dhe 2. Zoraki Cal. 9mm P.A.K me nr. serik 180800436 dhe dy karikatorë, i cili ka deklaruar se armët ia ka shitur të dyshuarit Kastriot Islami i lindur më 03.06.1983 M/SH/K”, thotë Policia.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i shtetit për krime të rënda i cili ka urdhëruar që dy të dyshuarit të ndalen në mbajtje për 48 orë ndërsa rasti është hapur hap si “tregti me armë”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme