Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që nga pakujdesia vrau bashkëshorten Foto: Koha / ilustrim

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që nga pakujdesia vrau bashkëshorten

01 janar 2019 17:16

Mbrëmë pas mesnatës, prokurori kujdestar, në Departamentin e Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, është njoftuar për një vrasje, e cila ka ndodhur në fshatin Selishtë, komuna Gjilan, njofotn kumtesa, transmeton Koha.net.

Menjëherë pas njoftimit me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe Njësia e Hetimeve Regjionale, e Policisë së Kosovës, të cilët kanë vëzhguar vendin e ngjarjes dhe njëkohësisht është arrestuar i dyshuari J.J., si dhe ndaj tij është lëshuar aktvendim mbi ndalim në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ‘’Vrasje nga pakujdesia’’ nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, transmeton Koha.net.

Ekziston dyshimi i bazuar se, më 01 janar 2018, rreth orës 00:10 minuta, në fshatin Selishtë, komuna Gjilan, i dyshuari J.J. (1958), nga pakujdesia, me pushkën e tij të gjuetisë, të cilën e ka poseduar pa leje dhe autorizim, e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Z.J. (1956), në atë mënyrë që derisa ka qenë duke shtënë me armë në ajër, për festën e Vitit të Ri, arma është bllokuar dhe nuk ka shkrepur, me ç’rast duke tentuar ta rregullonte, e njëjta ka shkrepur dhe në një distancë prej 2-3 metra, e ka goditur të ndjerën, në pjesën e epërme të shpindës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, për kryerjen e autopsisë.

Prokurori i shtetit, sot ka nxjerrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila pritet që të vendosë për këtë çështje brenda afatit ligjor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme