Kronikë

Një muaj paraburgim kuksianit që theri me thikë prizrenasin

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale J.L. nga fshati Bardhoc, Komuna e Kukësit, Republika e Shqipërisë.

I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, “lëndim i rëndë trupor” kurse masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 17.12.2018 e cila do të zgjasë deri me datën 16.01.2019.

“... Për shkak të dyshimit të arsyeshëm se personit tjetër i shkakton lëndim të rëndë trupor me mjet të rrezikshëm, në atë mënyrë që me datën 20.10.2018, rreth orës 13.23 minuta, te parkingu i Qendrës Tregtare ‘Abi’ në Prizren, derisa ishte parkuar në parking me automjetin ‘Audi’, i afrohet automjetit të tipit ‘Audi’, ku gjendet i dëmtuari me iniciale J.V. dhe pas një mosmarrëveshje dhe fjalosje që kishin ndërmjet tyre, fillimisht largohet nga i dëmtuari. Ky i fundit serish shkon pas të pandehurit të cilin përsëri e sulmon fizikisht, atëherë i pandehuri me një mjet të mprehtë (thikë) e godet disa herë të dëmtuarin me iniciale J.L. dhe largohet nga vendi i ngjarjes me ç’rast të njëjtit i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupor që ka rezultuar me rrezikim të jetës në momentin e shkaktimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ndërsa, se a do të argumentohen këto fakte apo jo, Gjykata thotë se do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.