Kronikë

Një muaj paraburgim për lëndim të rëndë trupor

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale M.K. nga Prizrenit, për shkak të veprës penale, lëndim i rëndë trupor nga neni 189 para.5 lidhur me par.1 nën parag.1.1 të KPRK-së.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 14.12.2018 e cila do të zgjasë deri me datën 14.01.2019.

“Nga shkresat e lëndës rrjedhë dyshim i bazuar se i pandehuri me datën 14.12.2018, rrethe orës 21:45 minuta, në Prizren në lagjen “Kurilla”, pikërisht në lokalin “Beta”, i shkakton lëndime trupore dhe përkohësisht ia dëmton shëndetin të dëmtuarit me iniciale L.R., në atë mënyrë që i pandehuri i drejtohet vëllait të dëmtuarit me iniciale R. me fjalët,” ku e ke djalin, më ka borxh një telefon”, R. i është përgjigjur, “krejt çka ke me djalin tim unë do ti kryej-paguaj, për momentin jam pa para por do t’i paguajë më vonë” dhe në ato momente këtu i dëmtuari me iniciale L.R është ngritur nga tavolina i është afrua të pandehurit me iniciale M.K., fillimisht ka filluar përleshja mes tyre me grusht, e më pas i pandehuri e nxjerr briskun – mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor apo dëmtimit të rëndë të shëndetit, dhe e godet me ç ‘rast me këto veprime i shkakton lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim të gjykatës.