Kronikë

Pronari i shtëpisë që vrau hajnin në Vetërnik nuk arrestohet pasi ishte në vetëmbrojtje

Mbrëmë në lagjen Vetërnik të Prishtinës ka ndodhur një vrasje pasi katër persona kishin mësyrë një shtëpi për ta plaçkitur.

Me këtë rast, siç njoftoi Policia e Kosovës, hajnat ishin të armatosur dhe mes tyre e viktimës, pronarit të shtëpisë, kishin nisur të shtënat. Gjatë kësaj përleshjeje të armatosur, njëri nga hajnat ka mbetur i vrarë.

Burime të Koha.net nga hetuesia, bëjnë me dije se i vrari është K.K. (emër i njohur për redaksinë), ndërsa po të njëjtat burime kanë treguar se pronari i shtëpisë nuk është arrestuar në këtë rast.

Kjo pasi mësohet se pronari e ka kryer veprën (vrasjen) në vetëmbrojtje dhe armën e ka pasur me leje.

Edhe Prokurori Ibrahim Berisha ka thënë për KTV-në se pronari i shtëpisë ka pasur armë legale dhe nuk është arrestuar pasi është vlerësuar se bëhet fjalë vetëmbrojtje.

“Të shohim tash si do të rezultojnë hetimet dhe si do të përfundojnë ato lidhur me këtë rast”, ka thënë Berisha.

Policia, në raportin 24 orësh, ka sqaruar se i vrari ka qenë njëri prej katër personave që po e plaçkitnin një shtëpi ndërsa pronari i shtëpisë ka shtënë në drejtim të tij.

“Viktima ka informuar se katër persona të dyshuar kishin hyrë brenda shtëpisë së tij, dhe njëri nga ta i ka drejtuar armën atij (viktimës), me ç’rast viktima ka poseduar armë dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit m/sh/k (K.K., viti i lindjes 1976) dhe e ka qëlluar për vdekje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Po ashtu njëri nga të dyshuarit ka shtënë në drejtim të viktimës, mirëpo nuk është goditur. Tre të dyshuarit tjerë kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes. Njësitet relevante kanë dalë në vend të ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se i dyshuari mashkull K/Shqiptar nuk ka shenja jete. Nga viktima është konfiskuar pistoleta e cila është përdorur në rast”, ka thënë Policia.