Shtatë muaj burgim me kusht ndaj një zyrtari për asgjësim e fshehje të materialeve arkivore Foto: Ilustrim/Koha

Shtatë muaj burgim me kusht ndaj një zyrtari për asgjësim e fshehje të materialeve arkivore

19 November 2018 11:28

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit S. K. në kohëzgjatje prej shtatë muajsh burgim, të cilin dënim nuk do ta vuaj nëse në afat prej dy viteve, nuk kryen ndonjë vepër tjetër.

I pandehuri është akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, se gjatë vitit 2014, në cilësi të Drejtorit të Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personit tjetër, duke punësuar dy familjar të vet, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutet në veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.

“Gjykata pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka liruar nga akuza, pasi që nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërsa për dispozitivin e dytë të aktakuzës, Gjykata ka gjetur se i akuzuari gjatë vitit 2014 në cilësinë e Drejtorit të Prokurimit, duke tejkaluar kompetencat e tij, ka asgjësuar apo fsheh materialet arkivore, në të cilën zyre kanë qenë të vendosur dosje të tenderëve, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë.

“Me këto veprime i akuzuar ka kryer veprën penale asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor nga neni 416 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për këtë vepër trupi gjykues ka shpall fajtor, duke e dënuar me 7 muaj burgim me kusht për 2 vite”, thuhet tutje.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme