Kronikë

S’ka të ndalur dhuna familjare në Kosovë

Descriptive Text

Çdo ditë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, deklarohen dhuna të ndryshme në familjet kosovare.

Veç sot në raportin e policisë janë njoftuar katër raste. Dy në Prishtinë, një në Podujevë dhe një në Mitrovicën Veriore, transmeton Koha.net.

Dje një grua në Prishtinë, kosovare-shqiptare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj, ai e ka gjuajtur me një vazo duke e goditur në këmbë me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore për të cilat lëndime i është ofruar tretmani mjekësor.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thotë policia.

Rasti tjetër po ashtu në Prishtinë, ka rezultuar me një të arrestuar. Një burrë është arrestuar pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht babanë e tij. Ai ka pranuar tretman mjekësor e me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, një grua ka raportuar se me datën 15.11.2018 është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar-shqiptar me të cilin bashkëjeton dhe kanë një fëmijë tre muajsh.

“Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thotë policia në raport.

E në rrugën “Lole Ribar”, në Mitrovicën Veriore, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar-serb pasi që i njëjti kishte shkelur urdhrin mbrojtës të gjykatës duke sulmuar fizikisht viktimën (bashkëshorten jashtëmartesore) kosovare-serbe, në praninë e dy fëmijëve të mitur duke i shkaktuar lëndime trupore.

“ Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, përfundon raportin policia.