Dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Fushë Kosovë Foto: Ilustrim/Koha

Dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Fushë Kosovë

25 October 2018 13:54

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit S.B i cili ka kryer krime lufte në Fushë Kosovë.

I akuzuari S.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 10 viteve për veprën penale Krime Lufte kundër popullatës civile sipas nenit 22 dhe 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht i ndëshkueshëm sipas neneve 31 dhe 152 të Kodit Penal të Kosovës, në shkelje të nenit të përbashkët 3 të Konventës së Gjenevës të 12 Gusht 1949 dhe në shkelje të neneve 4 dhe 5 të Protokollit 2 të 8 Qershorit 1977, dhe Konventës së Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregulla dhe ligje ndërkombëtare në fuqi në kohën e luftës së armatosur në Kosovë, transmeton Koha.net.

Siç njofton edhe Gjykata, me datë 26 mars të vitit 1999 në Fushë Kosovë, në stacionin e autobusëve, derisa një numër i madh i banorëve shqiptar ishin tubuar në stacion, pasi që ishin detyruar të largoheshin nga vendbanimi i tyre shkaku i dhunës që ishte ushtruar ndaj tyre, i akuzuari S.B me të paktën 10 persona të tjerë të njohur dhe të pa njohur, duke vepruar së bashku me pjesëtarët e forcave të armatosura serbe kishte dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 civilëve, meshkuj shqiptar të Kosovës duke aplikuar masat e frikësimit dhe terrorit.

“Është bërë në atë mënyrë që fillimisht ishin ndarë burrat në njërën anë ndërsa në anën tjetër gratë dhe fëmijët, pastaj meshkujt i kishin detyruar që të qëndronin në gjunjë dhe kishin filluar t’i rrihnin dhe t’i detyrojnë që të këndojnë këngë serbe, pas kësaj i akuzuari S.B kishte kryer arrestime ilegale dhe marrje të pengjeve, në atë mënyrë që duke pasur të ndjerin H.B fqinjin e parë dhe me të vërejtur se i njëjti ishte në turmën e popullatës civile shqiptare, i akuzuari vepron duke luajtur rol kryesor në identifikimin e tij, duke urdhëruar arrestimin e tani të ndjerit H.B, e që mbetjet mortore të të ndjerit H.B janë gjetur në një varrezë masive në Dragodan të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të akuzuarit S.B i vazhdohet paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme