Kronikë

Policia ndalon dy persona për 48 orë për dhunë në familje

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar dy persona për 48 orë, për shkak të dyshimit se kanë shkaktuar dhunë në familje.

Në rastin e parë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.T, në komunën e Ranillugut, në këtë muaj, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës T.T, duke e goditur me grushte në fytyrë dhe pjesë të trupit, e cila për shkak të lëndimeve të pësuara ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Në këtë mënyrë, i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’.

Në rastin tjetër, dyshohet që i pandehuri F.S, në komunën e Gjilanit, ka shkaktuar dhunë në familje, në atë mënyrë që nën ndikimin e alkoolit dhe me thikë e kanos vajzën e tij L.F, deri në atë moment kur e dëmtuara arrin të i’a largojë thikën nga dora, me ç’ rast i njëjti përsëri tenton të e godas, duke gjuajtur me një dru në drejtim të saj.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Kanosje’’ .

Në të dy rastet, prokuroria ka lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe ka ushtruar kërkesat për caktimin e paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj dy të pandehurve, në Gjykatën kompetente në Gjilan.