Kronikë

Në Jarinjë zbulohen mallra të padeklaruara në autobusin e linjës Serbi-Kosovë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën ka parandaluar një rast të kontrabandës në Jarinjë.

Sipas njoftimit gjatë një kontrolli rutinë, oficerët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë kontrollit të një autobusi në pikëkalimin kufitar në Jarinje, kanë gjetur mallra të fshehura në vlerë prej 4 mijë e 793 euro.

“Në momentin e hyrjes së një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën, u zbuluan mallra të fshehura në një nga hapësirat e tij. Mallrat e zbuluara, të cilat ishin të padeklaruara, përfshinin: produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili. Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4,793.48€”, thuhet në njoftim.

Autobusi thuhet se është dërguar në terminalin doganor të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për një kontroll të hollësishëm.

“Mallrat e pa deklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës”, thuhet në njoftim.