Kronikë

Po bartnin në shpinë afër 34 kg marihuanë, njëri arrestohet e tjetri arratiset

Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten ka arrestuar një person të dyshuar i cili është zënë në bjeshkët e fshatit Vërmicë duke bartur sasi të dyshuar të substancave narkotike.

I dyshuari ka qenë bashkë me një tjetër person të cilin zyrtarët policorë nuk kanë arritur ta kapin.

Sipas njoftimit të Policisë ata ishin vërejtur duke hyrë nga territori i Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve malore në mënyrë të paligjshme.

Gjatë lëvizjes ata thuhet se po bartnin në shpinë ngarkesa të dyshuara dhe kur Policia i ka urdhëruar të ndalen ata kanë lëshuar ngarkesat dhe kanë filluar të ikin.

Image

Të dyshuarit thuhet se kanë bartur në shpinë afër 34 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

“Personat e lartcekur janë vërejtur se gjatë lëvizjes, në shpinë bartnin ngarkesa të dyshuara, ku pasi të njëjtit kishin hyrë në zonën e Republikës së Kosovës, nga zyrtarët policorë janë urdhëruar që të ndalohen, mirëpo të njëjtit kanë lëshuar ngarkesat që bartnin dhe kanë filluar që të ikin, njëri nga ta është arritur të ndalohet nga ana e zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Substanca narkotike është konfiskuar.

“Ngarkesa e dyshuar ndodhej në dy çanta me 11 (njëmbëdhjetë) paketime në sasi prej 33.800 kg, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent dhe rasti i kompletuar së bashku me substancën e dyshuar i dorëzohet Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik Prizren për trajtim të mëtutjeshëm.

Image