Kronikë

Dënohen me nga dy vjet burgim të akuzuarit që sulmuan Valon Sylën

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka dënuar me nga dy vjet burgim secilin nga tre të akuzuarit L.D, K.H dhe O.H, për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

Sipas vendimit të Gjykatës, atyre do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Ata janë dënuar për veprën penale "lëndim i lehtë trupor".

Kërkesa e Sylës për dëmshpërblim prej 30 mijë eurosh është refuzuar nga Gjykata.

Pas aktgjykimit dënues, gazetari Syla ka thënë se ka qenë e rëndësishme që sulmuesit e tij të dënohen. 

“Për mua nuk ka qenë e rëndësishme a dënohen me një apo dy vjet burgim. Për mua ka qenë e rëndësishme që ata të dënohen, që emri i tyre të figurojë si të dënuar e në të ardhmen të mos mund të bëhen pjesë e policisë, FSK-së apo institucioneve të tjera”, ka thënë Syla.

Valon Syla ishte sulmuar në prill të këtij viti nga tre persona. Sulmi kishte ndodhur për motive fetare.