Gjykata e Prizrenit dënon me nga 12 vjet burgim dy të akuzuarit për rastin ku u vra një polic
Gjykata Themelore e Prizrenit ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Iran Badalli dhe Arben Gashi, lidhur me rastin e shpërthimit në Zhur, në janar të vitit 2020, ku si pasojë vdiq një zyrtar policor, derisa tre të tjerë dhe një fëmijë mbetën të lënduar.
Trupi gjykues ka dënuar me nga 12 vjet burgim të akuzuarit Badalli e Gashi, për bashkëkryerjen e dy veprave penale.
Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren, në maj të vitit 2021 pati shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të pandehurit me inicialet V.Ç. për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse. Atij i pati shqiptuar gjobë prej një mijë eurove, pasi pranoi fajësinë.