1 perditesime
10:44

Arrestohen 10 persona, dyshohen për keqpërdorime bankare

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontroll në 14 lokacione dhe ka arrestuar 10 persona.

Kontrollet janë kryer në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan, ndërkaq dhjetë të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, dhe “Hyrje në sistemet kompjuterike”.

“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se ka sekuestruar prova të ndryshme relevante, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tre armë dhe municion.

"Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dhjetë persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura, e në të cilin rast aktualisht janë të dëmtuar katër institucione financiare dhe vlera e dëmit e shkaktuar deri më tani tejkalon shumën prej 400.000 euro", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

09:30

Krimet Kibernetike me aksion në disa rajone të Kosovës

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është duke realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, në disa rajone të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar për Kohën se operacioni policor është duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Pas përfundimit të operacionit pritet të bëhen të ditura detajet”, ka thënë Kelani.