Dy persona janë arrestuar gjatë mbrëmjes të së mërkurës në Gjakovë, nën dyshimin për kanosje me armë dhe për substancë të dyshuar narkotike.
Në njoftimin e lëshuar nga Policia thuhet se rasti ka ndodhur në rrugën “Sylejman Hadum Aga”.
“Zyrtarët policorë kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy të dyshuar, meshkuj kosovarë të moshës madhore. Tek njëri nga të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta të cilat dyshohet se janë përdorur në rast. Po ashtu tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një sasi e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje për 48-orë.