Kronikë

Arrestohen dy zyrtarë, mashtruan me një kontratë për shtrimin e disa rrugëve në Suharekë

Arrestim

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar me inicialet E.SH. dhe B.K. të martën, me dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qellim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo persona te tjerë.

Të dyshuarit në cilësi të personave zyrtarë kanë qenë të caktuar për menaxhim dhe mbikëqyrje të kontratës për ndërtimin e disa rrugëve në një fshat të komunës së Suharekës në vitin 2022, ku vlera e kësaj kontrate ka qenë dhjetëra mijë euro, njoftoi PK-ja.

“Pas daljes së prokurorit në vend ngjarje dhe eksperteve kompetent dhe verifikimit të gjendjes faktike, si dhe intervistimit të dëshmitarëve, lidhur me ketë kontratë është konstatuar se e njëjta nuk është realizuar siç ka qenë e paraparë”, ka thënë Policia.

Të dyshuarit kanë përpiluar procesverbale dhe situata të rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në teren kjo kontratë nuk është realizuar.

Ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.