Prokuroria Themelore e Prishtinës të shtunën ka bërë të ditur se është duke punuar në identifikimin e personave të përfshirë në vrasjen dhe plagosjet që ndodhën mbrëmë në qendër të Prishtinës, në lokalin “Bon Vivant”, duke shtuar se është marrë edhe aktvendim për ndalimin e disa personave. Të dyshuarit, sipas Prokurorisë, kanë të kaluar kriminale.
Përmes një komunikate, Prokuroria ka konfirmuar se nga të shtënat me armë zjarri kanë mbetur të plagosur shtatë persona, njëri prej tyre vdiq më vonë në QKUK, ndërsa 13 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga objekte të ndryshme. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Prokuroria e ka cilësuar rastin si “Vrasje të rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.
Njoftimi i plotë:
Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur.
Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Prokurori i rastit dhe Policia e Kosovës janë duke punuar për identifikimin e personave të implikuar në këtë rast me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes, po ashtu është marr aktvendim mbi ndalim ndaj disa personave.
Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës.
Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale.