Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është raportuar i zhdukur në Rahovec. Sipas Policisë personi është zhdukur që nga viti 2012 në Shqipëri dhe se rasti është raportuar atje qysh 11 vjet më parë.
Por sipas Policisë së Kosovës që nga atëherë familjarët nuk kanë marr asnjë informatë nga Policia në Shqipëri dhe për këtë arsye kanë vendosur që rastin ta raportojnë edhe në Kosovë.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se viktima mashkull kosovar që nga viti 2012 ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar në Shqipëri, por që atëherë nuk dinë për vendndodhjen e tij. Sipas ankuesit i njëjti ka raportuar rastin edhe në Shqipëri. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori me udhëzim të së cilit iniciohet rasti si më lart i cili mbetet nën procedurë hetimore”, thuhet në raportin e Policisë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka theksuar se familjarët e kanë raportuar tani rastin në Rahovec, me qëllim që nëpërmes Zyrës Ndërlidhëse në kuadër të Policisë së Kosovës të bëhet më shumë për gjetjen e personit në fjalë.
“Si rast është raportuar së fundmi në Rahovec, përndryshe rasti ka qenë i raportuar në Shqipëri por meqenëse familjarët nuk kanë marrë asnjë informatë deri më tani e kanë raportuar tek ne me qëllim që përmes zyrës ndërlidhëse të bëhet më shumë në këtë drejtim”, ka deklaruar Graishta për KOHËN.
Ai ka thënë se ligjërisht bazuar në kompetencat territoriale ata nuk mund të bëjnë asgjë në këtë drejtim.
“Përndryshe, ligjërisht bazuar në kompetencat territoriale ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim përveç interesimit përmes zyrës ndërlidhëse ngase në momentin që futet në sistem nga kjo zyrë ekziston mundësia e shpërndarjes së informacionit edhe në shtete tjera”, ka theksuar Graishta.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.