67-vjeçarja që fillimisht u raportua se vdiq nga lëndimet në aksident në Samadraxhë të Suharekës, tani nga policia është thënë se dyshohet është vrarë.
Policia e ka iniciuar si “vrasje nga pakujdesia”. Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, ka thënë se dyshohet se i dyshuari pas aksidentit ka dalë nga automjeti dhe është fjalosur me palën tjetër dhe në një moment, e ka shtyrë viktimën, e cila është rrëzuar.
“Me datë 29.06.2023, rreth orës 21 e 50 , është raportuar një aksident trafiku mes dy automjeteve në fshatin Samadraxh, KK Suharekë. Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njëra nga pjesëmarrëset në aksident nga emergjenca është transportuar për në QKMF në Suharekë, rreth orës 21:54 në QKMF mjeku kujdestar e ka vërtetuar vdekjen e viktimës, femër 67 vjeçare. Nga mbledhja e dëshmive nga vendi i ngjarjes dyshohet se viktima nuk ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri më tani nuk dihen. Dyshohet se i dyshuari pas aksidentit ka dalë nga automjeti dhe janë fjalosur me palën tjetër, dhe në një moment e ka shtyrë viktimën e cila është rrëzuar”, konfirmoi ai.
Bytyqi ka shtuar se nuk dihen shkaqet e vdekjes së gruas, megjithatë i dyshuari është në arrest dhe do të merret në pyetje.
“Pra, deri më tani nuk dihen shkaqet e vdekjes, por prokurori kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast 'Vrasje nga pakujdesia'. I dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim të alkoolit. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i njëjti është ndaluar për 48 orë”, njoftoi ai.