Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka arrestuar të enjten një avokat nën dyshimin për “ushtrim të ndikimit”.
H.J. (1985) dyshohet se ka kërkuar 8000 euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, me premtimin se ato para do t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që kolegji të nxjerrë vendim të favorshëm për të.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve preliminare, sot më 08.06.2023 ka arrestuar personin e dyshuar H.J., (avokat, mashkull kosovar, viti i lindjes 1985), pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘ushtrim i ndikimit’. I dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan me premtimin që këto para i t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari. Pas intervistimit i dyshuari, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prishtinë ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.