Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të hënën në Prishtinë në shtëpinë e të dyshuarit V.T. janë gjetur 4700 euro të falsifikuara, të gjitha në kartëmonedhë 50 euro, të cilat janë sekuestruar.
Policia e Kosovës, ka thënë se operacioni ishte realizuar në bashkëpunim mes drejtorisë së antidrogës dhe asaj të krimeve ekonomike.
I dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.
“Pas këtyre veprimeve rasti ka kaluar për hetim të mëtutjeshëm në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), me ç`rast pas analizimit të provave është arrestuar i dyshuari i lartcekur, gjithashtu është sekuestruar shuma e parave prej 94 copë kartëmonedha (në apoen) prej 50 €urove, gjithsej katërmijë e shtatëqind (4700) €uro, që dyshohet të jenë të falsifikuara. Pas analizimit të kartëmonedhave të falsifikuara vërehet se është falsifikim i nivelit më të lartë, përmban disa prej tipareve të sigurisë dhe i rrezikshëm që qytetarët të bien pre e mashtruesve me këtë lloj falsifikimi. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit ju ka lëshuar vërtetimi për sekuestrim të 4700 eurove. Për veprimet e ndërmarra është njoftuar dhe konsultuar Prokurori kujdestar i krimeve të rënda nga PTH- Prishtinë dhe i dyshuari dërgohet në mbajtje prej 48 orëve. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe luftimin e veprave penale të të gjitha llojeve dhe kërkon nga qytetarët bashkëpunim të plotë në parandalimin e veprave të tilla”, thuhet në njoftimin e Policisë.