Një portugez dhe katër britanikë janë në kërkim nga policia e Shqipërisë pasi dyshohen se morën pjesën në vrasjen e biznesmenit dhe ish-kandidatit për deputet në Shëngjin, Ardian Nikulaj.
Vrasja e Nikulajt ndodhi një javë më parë. Fillimisht dyshohej për motive politike, meqë ai ishte aktiv si kandidat për bashki në zgjedhjet lokale të 14 majit, por tani policia ka thënë se bëhet fjalë për një gjakmarrje.
Familja e Nikulajt ishte në gjakmarrje me një familje tjetër që ka ikur jashtë Shqipërisë. Dhe dyshohet se vrasja e biznesmenit është paguar nga ata.
Ruben Saraiva, shtetas portugez, është identifikuar si autori i vrasjes. Ndërsa, katër britanikët kanë pasur rol ndihmës, sipas policisë.
Saraiva, sipas videove të publikuara në mediat në Shqipëri, shihet teksa hyn në lokalin e Ardian Nikulajt dhe e qëllon shtatë herë teksa ishte duke pirë kafe.
Ata dyshohet se kanë ikur jashtë Shqipërisë dhe janë kthyer në Britaninë e Madhe.