Kronikë

I konfiskohen 34 qese me kokainë, arrestohet 27-vjeçari nga Prishtina

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Arrestimi është bërë pasi që të mërkurën rreth orës 21:00, pasi njësia nga Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë në Prishtinë, gjatë një pune hetimore operative (dy javore) në terren, ka arritur të marrë informatën se 27-vjeçari me iniciale B.M., është duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike në qytetin e Prishtinës.

“Hetuesit policorë kanë ndaluar të dyshuarin B.M.,(mashkull kosovar, viti i lindjes 1996), dhe gjatë kontrollit në trup fillimisht i janë gjetur 3 qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 1.5 gramë”, thuhet në njoftim.

Atij gjithashtu i është konfiskuar edhe sasi tjetër e substancës narkotike të dyshuar si kokainë, një peshore digjitale e para të gatshme.

“Njësia e Forenzikës Regjionale në Prishtinë, pas disa kontrolleve në banesën e tij, si prova materiale kanë gjetur dhe konfiskuar: 27 qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 13 gramë, 3 qese të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 62.9 gramë, 1 peshore digjitale e cila ka shërbyer për matjen e narkotikeve në sasi të vogla, 1 qese e dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 0.2 gramë, e gjetur në veturën e të dyshuarit, 2 telefona celularë, para të gatshme me vlerë prej 1545 eurosh”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sasia e substancave narkotike e konfiskuar është 77.6 gramë e që sipas Policisë, në vlerë parash konsiderohet të jetë 7760.

I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.