Kronikë

Vrasësit e rojës së “Top Channelit” përdorën veturën e vjedhur nga shtetasi kosovar

Policia e Shqipërisë ka publikuar detaje që lidhen me rastin e vrasjes së rojës në mediumin “Top Channel” në orët e para të së hënës në Tiranë.

Rasti ka ndodhur rreth orës 00:30. Si pasojë e të shtënave në drejtim të objektit të “Top Channelit”, humbi jetën roja Pal Koka, 61-vjeçar.

Sipas hetimeve të deritashme, vetura është kapur gjatë lëvizjes në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë. Autorët kanë ikur në të njëjtin drejtim, ndërsa pak para orës 01:00, Policia është njoftuar për djegien e një veture, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.

Te vetura janë gjetur edhe armë, ndërsa për rastin janë intervistuar si dëshmitarë të pranishmit në vendin e ngjarjes.

Sipas provave, kanë qenë 26 të shtëna.

Automjeti që vrasësit kanë përdorur ka qenë i tipit “Range Rover Sport”, që ka rezultuar i vjedhur në korrik të vitit 2020 në Lezhë. Vetura ka dalë të ketë qenë e vjedhur nga një shtetas i Kosovës, i cili ka qenë me pushime në atë zonë. Vetura ka pasur edhe targa të vjedhura në fund të vitit të shkuar në Tiranë.

Policia e Shtetit po ashtu ka vendosur edhe shpërblim prej 100 mijë eurosh, për këdo që jep informatë të vlefshme që identifikon autorët.