Kronikë

Prokuroria tërhiqet nga ndjekja e një prej pesë të akuzuarve në rastin e vizave italiane

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokuroria e mbrojtësit e të akuzuarve kanë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ku akuzohen për kontrabandim me imigrantë, krim të organizuar e posedim të paautorizuar të armëve pesë persona që dyshohet se morën para në këmbim të sigurimit të vizave italiane. Mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan lirimin e tyre nga akuzat, ndërsa prokurorja Florie Shamolli kërkoi dënim të tyre sipas ligjit, përveç për njërin të cilin e ka liruar gjykata në Itali.

Pas 7 vjetësh gjykim pritet të jepet aktgjykimi i parë lidhur me njërin prej rasteve me pesë të dyshuar për shitje vizash të Italisë.

Të hënën u paraqit fjala përfundimtare në rastin ku akuzohen ish-deputeti e djali i presidentit Ibrahim Rugova,Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, ish-punëtori i Ambasadës italiane, Florjan Petani, si dhe Izet Beqiri e Qefser Baholli.

Nga ndjekja penale e Petanit u tërhoq prokurorja speciale Florije Shamolli, pasi atë bashkë me ish-ambasadorin italian, Michael Giffoni, i ka liruar nga akuzat në dyshimet e njëjta një gjykatë në Itali.

"Florjan Petani është liruar nga akuza dhe kundër këtij aktvendimi, gjegjësisht aktgjykimi, nuk ka pasur ankesë, dhe në moment (menjëherë) aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm”, theksoi Shamolli.

Por, për të tjerët prokurorja kërkoi dënim në përputhje me ligjin, duke pasur parasysh provat e siguruara që në këtë rast përmendi përgjimet.

Në fjalën e saj përfundimtare Shamolli tha se për militantët e Lidhjes Demokratike vizat ishin falas.

"Në krye të grupit ishte Ukë Rugova. Personat të cilët i gjenin klientë ishin Izet Beqiri, Astrit Haraqija. Duke shfrytëzuar lidhjet me ambasadorin e Italisë, pa u respektuar asnjë nga kriteret, merrnin viza për afat të shkurtër. Lëshoheshin pa para për militantët e LDK-së, mirëpo meqenëse kërkesa u bë shumë e madhe e personat ishin shumë të interesuar, filluan të jepnin para me vlera të ndryshme prej 1000, 1500, 2000 dhe deri në 4000 euro për marrjen e një vize italiane Schengen”, u shpreh Shamolli.

Avokatët mbrojtës i kundërshtuan pohimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, me aktakuzën e Prokurorisë e me provat e paraqitura nuk dëshmohet kryerja e veprave penale të krimit të organizuar, kontrabandimit me imigrantë e posedimit të paautorizuar të armëve.

Avokati i të Ukë Rugovës, Nexhat Shabani, theksoi se dispozitivi i ndryshuar i aktakuzës është i paqartë dhe nuk e saktëson vendin e as kohën e kontrabandimit me imigrantë.

Ndërsa avokati i Izet Beqirit, Besnik Berisha, tha se dëshmitarët treguan se nuk kanë paguar para për ndonjë shërbim të caktuar.

“Gjyqtari (Naser) Foniqi në shumicën e pyetjeve parashtruar dëshmitarëve u koncentrua të hetojë nëse dëshmitarët kishin paguar ndonjë shumë të caktuar parash apo kryer çfarëdo shërbimi që do të kthehej në dobi pasurore qoftë për Ukë Rugovën, qoftë për të akuzuarit e tjerë. Përgjigjja e tyre ishte jo, asnjë cent, jo asnjë shërbim, jo asnjë përfitim”, theksoi Berisha.

Mbrojtësit e të akuzuarve, po ashtu, kanë thënë se në këtë rast ka mangësi për sa u përket veprimeve inkriminuese të secilit të akuzuar.

Avokatja e Qefser Bahollit, Luljeta Jashari, tha se nuk është plotësuar e nuk është vërtetuar as elementi subjektiv e as objektiv për veprën penale krim i organizuar.

Ndërsa avokati i Astrit Haraqisë, Korab Bokshi, ka thënë se janë akuzat janë më shumë në formë të pretendimeve të gjeneralizuara e të pakonkretizuara.

Arrestimet e para për këtë rast i bëri misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, derisa aktakuza u ngrit më 2016.

Me qëllim të ekonomizimit të procedurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë rasti u nda në dysh në rastin “Ukë Rugova” dhe “Ukë Rugova 2”, ku po gjykohen 15 të dyshuar të tjerë.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me pesë të akuzuarit është caktuar për datën 30 mars.