Videot online të Bendrit Bajrës (27) para dhjetë vjetëve e bënë atë një yll të komedisë. Në to, Bajra që ka shtetësi të dyfishtë zvicerane e shqiptare, krahasonte sjelljet e zviceranëve me ato të huajve.
Por, tash për tash kanë mbaruar shakatë.
Bajra duhet të paraqitet në gjykatë – për një video që nuk e publikoi kurrë.
Seanca do të zhvillohet të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Dietikon të Zvicrës.
Prokurori publik e akuzon Bajrën për përfshirje në një manovër të rrezikshme me veturë, për mungesë pa leje në shërbim ushtarak dhe për porositje të një treguesi ilegal me laser.
Por, aktakuza më e rëndë bazohet në një vozitje të “çmendur” në natën e 5 prillit të vitit 2016.
Bajra voziti me disa kolegë me një veturë Golf në autostradën A1 nëpërmjet tunelit Gubrist në drejtim të Zurichut.
Ai ishte ulur në ulësen e pasagjerit. Sipas aktakuzës, drejtuesi i automjetit ngjitet në ulësen e pasme, ndërsa Bajra me një dorë e merr timonin nga ulësja e pasagjerit ndërsa vetura ishte duke shkuar me shpejtësi 100 kilometra në orë. Automjetin Bajra e drejton me dorën e majtë dhe e filmon të gjithën me dorën e djathtë.
Prokurori akuzon yllin e rrjeteve sociale se me vetëdije rrezikoi të shkaktonte aksident të rëndë.
Blick ka mësuar se nga prokuroria do të kërkohet një dënim i gjatë i burgimit me kusht – ndoshta 24 muaj.
Sipas aktakuzës, Bendrit Bajra nga korsia standarde kaloi në korsinë e majtë për të bërë parakalime pa dhënë tregues.
Ai më vonë ia kishte dërguar videon pronarit të makinës, ndërsa ajo video nuk ishte shfaqur kurrë në kanalet e tij.
Bendrit Bajra nuk ka dashur të komentojë akuzat e prokurorit në prag të procesit gjyqësor. Mirëpo, ai ndihet mjaft i rënduar nga akuzat.
Kanë kaluar shtatë vjet nga ajo manovër. Ai është një sipërmarrës tash dhe ka punonjës.
Prokuroria nuk e ka gjetur videon përmes Instagramit apo Youtubet, por nga celulari në një rast tjetër për një pjesëmarrje të mundshme në një garë rruge.
Hetimi ishte ndërprerë në atë kohë, por Prokuroria hapi një rast të ri dy vjet më vonë për shkak të videos të zbuluar.
Hetimet kanë vazhduar që nga atëherë. Gjatë pandemisë Bendrit Bajra kishte ndërtuar me sukses kompaninë e korrierit të mëngjesit “MrBrunch”. Kompania lulëzoi gjatë koronës. Kohët e vështira pas pandemisë mundi t’i kalonte. Bajra ka kohë që nuk ka publikuar më video në Instagram dhe YouTube.