Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.L. në cilësi të mjekut në QKUK në Prishtinë, i cili ndodhet në paraburgim nga 8 shkurti i këtij viti. Sipas aktakuzës, dyshohet se i pandehuri kishte përfituar para në vlerë prej mijëra eurosh nga një person në Prizren, me premtimin se do t’ia punësonte nusen e djalit si infermiere në spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Sipas aktakuzës, nga maji i vitit 2021 e deri në nëntor të atij viti, E.L. e ka mashtruar të dëmtuarin Sh.R. duke iu prezantuar si mjek që punon në Qendrën Klinike në Prishtinë dhe i kërkon para për t’ia punësuar bashkëshorten e të birit, duke i premtuar se “ka njerëz që munden ta punësojnë”.
Fillimisht në maj të vitit 2021, ai dyshohet se ia ka marrë 4000 euro dhe më pas i ka kërkuar të holla për nevoja personale, sipas aktakuzës. Po ashtu në aktakuzë thuhet se nga qershori i atij viti deri në nëntor të po atij viti, i pandehuri ka marrë edhe 5650 euro të tjera në disa pjesë.
Edhe pse i ka marrë në total gati 10 mijë euro, i dyshuari s’ia ka punësuar renë viktimës, sipas aktakuzës.
“Me këto veprime, i pandehuri E.L., ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Mashtrimi’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.